TIRANË – Ka nisur para Kryeministrisë protesta kundër projektit të resortit turistik në Zvërnec, e cila po zhvillohet për të gjashtën ditë radhazi.

Me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, protestuesit marshuan nga sheshi “Skënderbej” drejt selisë së qeverisë, ku kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kundërshtuan projektin e planifikuar në Zvërnec.

Reklame

Gjatë tubimit, pjesëmarrësit deklaruan se protesta është qytetare dhe nuk përfaqëson asnjë forcë politike. Në fjalimet e mbajtura para Kryeministrisë, ata akuzuan qeverinë për neglizhimin e interesit publik dhe kundërshtuan ndryshimet ligjore që, sipas tyre, prekin zonat e mbrojtura dhe pasuritë natyrore të vendit.

Një protestuese tha se pushteti ka tentuar të delegjitimojë lëvizjen, ndërsa theksoi se në protestë marrin pjesë vetëm qytetarë shqiptarë. Ndërkohë, një tjetër protestues deklaroi se tubimi nuk organizohet vetëm për çështjen e Zvërnecit, por si reagim ndaj problematikave më të gjera që prekin vendin.

Gjatë protestës u njoftua gjithashtu organizimi i dy tubimeve të tjera ditën e shtunë, një në Vlorë në orën 11:00 dhe një tjetër në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”, në orën 18:00.

Protestuesit kanë paralajmëruar vijimin e aksionit kundër projektit në Zvërnec dhe kërkesave që lidhen me ndryshimet ligjore për investitorët strategjikë, zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Reklame