Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për t’iu përgjigjur debatit që ka shoqëruar ditët e fundit protestat kundër investimit turistik në zonën e Zvërnecit.
Pas postimeve me meme në rrjetet sociale dhe toneve ironike të përdorura gjatë takimeve politike, Rama është shfaqur këtë të diel në Shkodër me një bluzë ku spikasin flamingot, shpendët simbol të Laguna e Nartës dhe një nga elementët më të përmendur në diskutimet mbi projektin që po kundërshtohet nga aktivistë dhe qytetarë.
Pamja e kryeministrit me bluzën e flamingove ka tërhequr menjëherë vëmendjen, pasi vjen në një moment kur protestuesit kanë përdorur pikërisht figurën e këtyre shpendëve në pankarta, meme dhe mesazhe kundër zhvillimit të projektit në zonën e mbrojtur.
Sipas interpretimit të mbështetësve të protestës, zgjedhja e kësaj bluze mund të shihet si një mesazh politik i drejtpërdrejtë ndaj kundërshtarëve të investimit, ndërsa nga ana tjetër mund të lexohet edhe si një përpjekje për të treguar se qeveria e konsideron mbrojtjen e biodiversitetit dhe të flamingove të përputhshme me zhvillimin e projektit.
Debati për investimin në Zvërnec dhe zonën e Laguna e Nartës ka nxitur reagime të shumta gjatë javëve të fundit, me protesta të organizuara brenda dhe jashtë vendit, ku kundërshtarët e projektit shprehen se ai rrezikon një prej ekosistemeve më të rëndësishme bregdetare të Shqipërisë.
Ndërkohë, qeveria ka mbrojtur projektin, duke argumentuar se investimi do të realizohet në përputhje me standardet mjedisore dhe pa cenuar habitatet e mbrojtura.















