Advertisement

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke deklaruar se paketa e re nuk cenon reformën në drejtësi, por synon të forcojë kontrollin gjyqësor dhe garancitë për personat që përfshihen në një procedim penal.

Ndryshimet janë pjesë e një procesi më të gjerë të rishikimit të legjislacionit penal, të ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të reformimit të politikës penale dhe integrimit evropian.

Reklame

Sipas Ramës, ndryshimet nuk i heqin prokurorisë kompetencat për hetimin e korrupsionit apo krimit të organizuar.“Kjo nuk prek asnjë shtyllë të reformës në drejtësi. Nuk i heq prokurorisë asnjë kompetencë për të hetuar. Ajo ndryshon mënyrën si ushtrohen këto kompetenca dhe forcon kontrollin e gjykatës”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të vijojë, por sipas tij procedurat duhet të zhvillohen duke respektuar të drejtat e individit dhe duke forcuar kontrollin gjyqësor.

Një nga ndryshimet e përmendura lidhet me rishikimin brenda 60 ditëve të masave të sigurisë në fuqi, të cilin Rama e cilësoi si kontroll individual nga gjykata.

Një nga pikat më të rëndësishme të prezantuara lidhet me masat e sigurimit.

Rama tha se procesi penal duhet të nisë nga liria dhe jo nga burgu, ndërsa gjykata duhet të shqyrtojë fillimisht masat më të buta, përpara se të vendosë arrestin në burg.

Sipas tij, për veprat penale me dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më arrest me burg.

Po ashtu, Rama tha se heshtja e një personi apo mospranimi i akuzës nuk duhet të përdoren si tregues rrezikshmërie.

“Rreziku duhet të jetë konkret”, tha kryeministri, duke shtuar se gjykata duhet të bëjë një vlerësim të pavarur të rrethanave.

Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me mënyrën se si zhvillohen marrjet në pyetje.

Sipas Ramës, marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen me zë dhe figurë.

Qëllimi, sipas tij, është që të dokumentohet mënyra se si është trajtuar personi gjatë procedurës.

Rama deklaroi gjithashtu se deklarimet e marra përmes torturës, dhunës apo trajtimit çnjerëzor do të konsiderohen të papërdorshme.

Ndryshimet prekin edhe sekuestrimin e pajisjeve elektronike.

Rama tha se sekuestrimi i një telefoni apo pajisjeje tjetër nuk duhet të nënkuptojë automatikisht akses në të gjithë përmbajtjen e saj.

Sipas tij, për të kontrolluar të dhënat e pajisjes do të kërkohet vendim gjykate, përveç rasteve urgjente të përcaktuara nga ligji.

Po ashtu, materialet që nuk kanë lidhje me hetimin, sipas paketës së prezantuar, duhet të asgjësohen. I njëjti parim, tha Rama, do të zbatohet edhe për përgjimet, ku duhet të përdoren vetëm të dhënat që lidhen me objektin e hetimit.

Rama prezantoi edhe një rol më aktiv të avokatit gjatë fazës së hetimit.

Sipas tij, avokati do të ketë mundësi të kryejë hetimet dhe verifikimet e veta, të marrë dokumente dhe të angazhojë ekspertë.

Ndërkohë, i pandehuri do të ketë akses te provat dhe dosja e plotë përpara se çështja të dërgohet në gjyq.

Një tjetër ndryshim i përmendur është detyrimi i prokurorit për të hetuar jo vetëm rrethanat që mbështesin akuzën, por edhe ato që mund të favorizojnë të pandehurin.

Sipas Ramës, kushdo që thirret si person në dijeni do të informohet për të drejtën për t’u paraqitur me avokat.

Kryeministri tha se nuk duhet të ketë raste kur një person thirret formalisht si dëshmitar apo person në dijeni, por trajtohet në praktikë si i dyshuar pa garancitë përkatëse.

Një tjetër risi e përmendur është transmetimi i drejtpërdrejtë i seancave gjyqësore.

Sipas Ramës, me kërkesën e të pandehurit dhe viktimës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt.

Kryeministri e lidhi këtë ndryshim me forcimin e transparencës dhe respektimin e prezumimit të pafajësisë edhe jashtë sallës së gjyqit.

“Gjyqi në pazar përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi”, tha Rama.

Ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale janë pjesë e procesit të rishikimit të legjislacionit penal. Ministria e Drejtësisë ka njoftuar më herët se paketa e ndryshimeve do të publikohet së bashku me Këshillin e Europës.

Paketa është në proces ligjor dhe deklarimet e Ramës përfaqësojnë përmbajtjen e ndryshimeve të propozuara; zbatimi i tyre do të varet nga miratimi i tekstit përfundimtar dhe hyrja e tij në fuqi.

Lexo edhe

Shqiptarët i kërkojnë dorëheqjen, Rama nga Brukseli: Reflektuam, krijuam ‘pasqyrën inteligjente’!

Pas “Xing”-ut në Rinas, tani “Toke” në BE? Rama në Bruksel, Berisha në Strasburg

Reklame