Advertisement

Një aksident i rëndë në aksin Radishan–Prishtinë–Mirkovcë ka shkaktuar reagime të forta edhe në botën e kulturës në Maqedoninë e Veriut.

Sipas raportimeve, një nga viktimat e aksidentit fatal është Riste Velkov, bariton i njohur dhe solist i Opera dhe Baleti Nacional i Maqedonisë së Veriut.

Reklame

Velkov, 51 vjeç, i lindur në Shkup në vitin 1975, konsiderohej një nga emrat më të spikatur të skenës operistike në vend. Ai ishte i njohur për interpretimet në produksione të mëdha të repertorit klasik, duke u vlerësuar për zërin e tij karakteristik dhe interpretimet në stilin belkanto.

Gjatë karrierës së tij artistike, ai ka realizuar dhjetëra role operistike në vepra të njohura botërore si “Nabucco”, “Rigoletto”, “Macbeth” dhe “La Traviata”, duke fituar respekt në skenën rajonale dhe më gjerë.

Sipas informacioneve paraprake, në aksident humbën jetën gjithsej katër persona, mes tyre dyshohet edhe djali i tij 20-vjeçar, si dhe dy të rinj të tjerë.

Hetimet paraprake tregojnë se një kamion me targa të Kosovës ka humbur kontrollin, ka kaluar në korsinë e kundërt dhe është përplasur me një automjet tip BMW me targa të Shkupit.

Ngjarja ka tronditur komunitetin artistik, i cili e konsideron Velkov një nga zërat më të veçantë të operës në rajon.

Reklame