Punonjësit e Policisë së Shtetit pritet të përfitojnë rritje pagash nga 1 janari, me shtesa që, sipas burimeve, do të variojnë nga 15 mijë deri në 20 mijë lekë të reja, në varësi të rolit dhe gradës.

Sipas të dhënave paraprake, efektivët e rolit bazë do të përfitojnë një rritje prej 20 mijë lekësh të reja, ndërsa për punonjësit me grada më të larta, deri te drejtuesi madhor, shtesa parashikohet të jetë 15 mijë lekë të reja.

Reklame

Kjo rritje cilësohet si më e madhja e realizuar ndonjëherë për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, e kanë cilësuar më herët masën si një rritje të konsiderueshme për uniformat blu.

Rritja e pagave vjen pas shpërblimit për efektivët

Lajmi për rritjen e pagave vjen pak ditë pasi qeveria njoftoi një shpërblim prej 2,500 eurosh për punonjësit e Policisë së Shtetit, në vlerësim të angazhimit të tyre gjatë situatave të vështira të krijuara nga protestat.

Gjatë ditëve të fundit, efektivët janë angazhuar në menaxhimin e protestave që në disa raste janë shoqëruar me përplasje dhe akte dhune. Mënyra e ndërhyrjes së policisë ka qenë gjithashtu objekt kritikash dhe akuzash nga protestuesit.

Pritet konfirmimi zyrtar i masës

Rritja e raportuar parashikon shtesa të ndryshme sipas kategorive të punonjësve, por detajet përfundimtare, përfshirë mënyrën e zbatimit dhe strukturën e plotë të përfitimeve, duhet të konfirmohen përmes vendimit dhe dokumentacionit zyrtar.

Deri në publikimin e konfirmimit zyrtar, shifrat e bëra publike mbeten të dhëna paraprake të raportuara nga burime.

lexo edhe

“Mirëmëngjes” me sofrën e dialogut, Rama përsërit ftesën për protestuesit

PD bojkoton mbledhjen për Buxhetin 2027: “Na thirrën pa na vënë në dispozicion asnjë dokument”

Reklame