Një 41-vjeçar nga Vlora, i dënuar me disa vite burg dhe i kërkuar për vepra të tjera penale, është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë. Bëhet fjalë për Arnold Jahon, i cili u arrestua në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ekstradimi nga Barcelona u realizua pas bashkëpunimit mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit në Shqipëri dhe homologëve të tyre në Madrid.
Jaho është dënuar nga Gjykata e Tiranës në vitin 2026 me 6 vite burgim për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Ndërsa në vitin 2024, e njëjta gjykatë e kishte dënuar me 1 vit burgim për veprën penale “Mashtrimi”.
Për 41-vjeçarin kishte gjithashtu një urdhër ndalimi të lëshuar në vitin 2025 nga Prokuroria e Tiranës, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ekstradimi i tij shënon një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, përmes të cilit autoritetet shqiptare dhe ato të vendeve të tjera bashkëpunojnë për lokalizimin dhe kthimin në Shqipëri të personave të shpallur në kërkim.
Lexo edhe
“Drejtësi për Arlindën!” Prishtina nuk ndalet, protestuesit bllokojnë rrugën pranë policisë














