Një 36-vjeçar nga Prishtina është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës, pasi tentoi të kontrabandonte në Shqipëri një sasi të konsiderueshme lëndësh piroteknike.
Shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, kaluan për kontroll të imtësishëm automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin G. M.
Gjatë kontrollit në automjet u gjetën dhe u sekuestruan 11 kuti me gjithsej 691 fishekzjarre. Sipas Policisë, 36-vjeçari dyshohet se synonte t’i fuste në mënyrë të paligjshme në Shqipëri për t’i shitur në Tiranë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Kukës e arrestuan në flagrancë shtetasin G. M., 36 vjeç, banues në Prishtinë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Lexo edhe:
Alarm në disa institucione/ Email me kërcënim për bombë, policia nis kontrollet në Vlorë dhe Berat
Shpataraku dërgohet në burgun e Peqinit, ish-polici u arrestua teksa shoqëronte Ergys Agasin














