Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me polemikat e ngritura në disa media dhe qarqe politike në Greqi, pas deklaratave të tij gjatë një bashkëbisedimi me gazetarin e njohur John Defterios, në panelin e organizuar në kuadër të Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi.

Rama shprehet i habitur nga mënyra se si, sipas tij, një fjali e thënë me humor miqësor dhe pa asnjë qëllim tendencioz është shkëputur nga konteksti dhe është shndërruar në një polemikë publike me tone nacionaliste në Athinën mediatike.

Reklame

Sipas kryeministrit, reagimet e ashpra janë tipike për një pjesë të mediave greke, të cilat shpesh e amplifikojnë retorikën nacionaliste, edhe kur bëhet fjalë për deklarata jo-konfliktuale.

Në reagimin e tij, Rama thekson se nuk ka asnjë dyshim mbi faktin se Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe se Greqia e Lashtë përbën një nga themelet kryesore të qytetërimit europian. Ai shpreh admirim për kulturën greke, jo vetëm për filozofët e antikitetit, por edhe për kontributin e saj në letërsi, kinematografi dhe muzikë.

Kryeministri nënvizon gjithashtu se ushqen ndjenja shumë pozitive për Greqinë dhe popullin grek, të cilin e cilëson si një fqinj të pazëvendësueshëm dhe vëlla të patjetërsueshëm të popullit shqiptar. Rama shpreh respekt të veçantë edhe për kryeministrin grek dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.

Megjithatë, ai shton se humori i tij nuk duhet keqinterpretuar dhe se nuk mund të pranojë që retorika nacionaliste e disa komentatorëve të identifikohet automatikisht me trashëgiminë e mendimit të madh filozofik grek.

“U kuptuam? Shpresoj po”, përmbyll reagimin e tij kryeministri, duke e mbyllur deklaratën me një ton ironik, por sqarues.

Reklame