Në Kuvend është zhvilluar debat për gjendjen e spitaleve rajonale, ku ministrja e Shëndetësisë Evis Sala i është përgjigjur kritikave të opozitës lidhur me spitalin e Lushnjes.

Kritikat ishin ngritur nga deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi, i cili ka denoncuar më herët gjendjen e infrastrukturës dhe shërbimeve në këtë spital.

Reklame

Investime në spitalet rajonale

Në fjalën e saj, ministrja Sala deklaroi se spitali i Lushnjes është përfshirë në një program kombëtar investimesh në sistemin shëndetësor, duke theksuar se synimi është përmirësimi i shërbimeve dhe pajisjeve mjekësore.

Ajo bëri me dije se në këtë spital do të shtohet edhe një aparat i ri mamografie, si pjesë e modernizimit të infrastrukturës diagnostike.

“Kemi zgjedhur të investojmë për të garantuar shërbimin. Spitali i Lushnjes është pjesë e një programi kombëtar investimesh”, u shpreh ajo.

Investime të shtrira në gjithë vendin

Sipas ministres, investimet në shëndetësi janë të planifikuara në mënyrë graduale në të gjithë territorin, duke përfshirë edhe spitale të tjera rajonale.

Ajo nënvizoi se brenda vitit pritet të nisë puna për godinën e re të Spitalit të Korçës, ndërsa për vitin 2027 parashikohen investime të mëtejshme në sistemin spitalor.

“Vizioni është i qartë që qytetarët të marrin shërbim dinjitoz”, tha Sala, duke shtuar se është e lehtë, sipas saj, të bëhet opozitë me batuta, por më e vështirë të realizohen projekte konkrete infrastrukturore.

Reklame