Katër persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim në Fier dhe Lushnjë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Siguria”. Gjatë tre fazave të operacionit janë sekuestruar katër armë zjarri, dy armë gjahu, municion luftarak, dy maska silikoni dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Në Fier, policia arrestoi fillimisht Suad Mernicën, 42 vjeç. Sipas njoftimit zyrtar, ai qarkullonte me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën edhe dy maska silikoni, të cilat dyshohet se mund të përdoreshin për veprimtari kriminale.

Reklame

Në një fazë të dytë, po në Fier, u arrestuan Zija Troka, 60 vjeç, dhe djali i tij, Endrit Troka, 25 vjeç. Gjatë kontrollit në banesën e tyre, policia gjeti një kallashnikov, një pistoletë, një armë gjahu, municion luftarak dhe një dorezë metalike përforcuese grushti.

Ndërkohë, në Lushnjë, në kuadër të fazës së tretë të operacionit, u arrestua Misir Blliku, ndërsa një tjetër shtetas, L. B., 32 vjeç, u shpall në kërkim.

Pas një hetimi disa javor, policia kontrolloi banesën ku qëndronin dy shtetasit dhe sekuestroi dy armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një armë gjahu.

Sipas policisë, paraprakisht dyshohet se armët e gjetura në Lushnjë janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë. Armët e sekuestruara në Fier dhe Lushnjë do t’i nënshtrohen ekzaminimeve në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse kanë lidhje me ngjarje të tjera.

Në total, operacioni u finalizua me katër arrestime dhe një person të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Personat e arrestuar prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Lexo edhe

A do të rikthehet në politikë? Kryemadhi: S’kam moral t’u kërkoj votën qytetarëve

U nisën me 40 kg kanabis për shitje, përfundojnë në prangat e policisë, arrestohen dy persona në Laç (EMRAT)

Reklame