Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mos presin anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian për të përfituar nga integrimi, por të gëzojnë gradualisht që tani të drejtat dhe mundësitë që ofron tregu i përbashkët europian.
Në hapje të samitit BE–Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes, që po zhvillohet në Tiranë me pjesëmarrjen e komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos, Rama e cilësoi këtë një moment vendimtar si për rajonin, ashtu edhe për Europën.
Kreu i qeverisë theksoi se takimi është një mundësi për të vlerësuar përparimin e bërë dhe për të diskutuar sfidat që mbeten në procesin e integrimit gradual. Ai identifikoi tri shtylla kryesore të këtij procesi: reformat, konvergjencën ekonomike dhe kohezionin rajonal.
Sipas Ramës, vitet e fundit është rritur konvergjenca mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, por mbetet ende shumë punë për t’u bërë.
“Qytetarët tanë s’duhet të presin për të korrur përfitimet e integrimit në tregun e përbashkët. Qytetarët tanë duhet të gëzojnë që tani, gradualisht, të drejtat që gëzojnë qytetarët e BE-së”, deklaroi Rama.
Në fjalën e tij, kryeministri përdori edhe një shprehje të fortë për të përshkruar marrëdhënien me institucionet europiane, duke thënë se BE-ja është e gatshme të ndihmojë vendet e rajonit, por edhe të kërkojë rezultate konkrete përmes reformave.
“BE-ja është po aq e prirur të na ndihmojë, sa ç’është e prirur të na bjerë me çekiç kokës që të japim rezultate dhe të bëjmë reforma”, u shpreh ai.
Rama e përmbylli këtë pjesë të fjalës duke theksuar se përparimi sjell më shumë pjesëmarrje në proceset europiane, ndërsa gatishmëria për reforma hap rrugën drejt mundësive të reja.
Lexo edhe
“Tani është e lirë”, Rama për Spiropalin: Nuk ka pse të më ndjekë më!
Shqipëria përmbushi 80% të reformave, Kos: Do të marrë 15% më shumë nga Plani i Rritjes














