Shqipëria ka përmbushur 80% të reformave të parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe do të përfitojë 185.6 milionë euro. Shifrat u bëra publike nga komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë samitit të liderëve të rajonit që po zhvillohet në Tiranë.
Sipas Kos, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë shënuar përparim në zbatimin e reformave dhe do të përfitojnë 15% më shumë nga fondet e Planit të Rritjes. Ndërsa Maqedonia e Veriut do të marrë 10% më shumë.
Komisionerja theksoi se rezultatet mes vendeve të rajonit janë të ndryshme. Sipas saj, tre shtete kanë bërë përparim në reforma, ndërsa tre të tjera nuk i kanë shfrytëzuar mundësitë e ofruara nga ky mekanizëm në të njëjtën masë.
“Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave të duhura dhe do të marrë 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes. Fondet janë që të shpërndahen për ata që kanë punuar më shumë”, deklaroi Marta Kos.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se Serbia deri më tani nuk ka përfituar fonde nga Plani i Rritjes, por kjo situatë mund të ndryshojë në varësi të zhvillimeve politike dhe formimit të qeverisë së re.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument i Bashkimit Europian që synon të përshpejtojë reformat, të forcojë integrimin ekonomik të vendeve të rajonit dhe t’i afrojë ato me tregun e përbashkët europian.
Përfitimi i fondeve lidhet me përmbushjen e hapave të përcaktuar në agjendat e reformave të secilit vend. Sipas Komisionit Europian, mekanizmi ka një fond të përgjithshëm prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024–2027.
Lexo edhe
Një ditë para Asamblesë, Rama mbledh ekipin! Çfarë pritet të ndodhë në PS?
“Tani është e lirë”, Rama për Spiropalin: Nuk ka pse të më ndjekë më!














