Banorë të zonës së Rrjoll kanë protestuar këtë të mërkurë përpara godinës së Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke kërkuar hetim për çështjen e pronave që, sipas tyre, u janë marrë në mënyrë të paligjshme.
Protestuesit mbajtën në duar pankarta dhe dokumente që pretendojnë se vërtetojnë pronësinë e tyre mbi tokën, ndërsa shprehën besimin se drejtësia do të zbardhë çështjen. Gjatë protestës, disa prej tyre kanë qëlluar me vezë në drejtim të godinës së prokurorisë.
Banorët pretendojnë se prona e tyre është përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga ish-drejtori i Kadastrës, Fatmir Shpellzaj, dhe se aktualisht në atë zonë po ndërtohet një resort luksoz nga biznesmeni Bashkim Ulaj.
Pas daljes nga SPAK, avokati i banorëve, Novruz Haderi, deklaroi për mediat se është depozituar një kallëzim penal ndaj Shpellzajt, me dyshimin se ai ka bashkëpunuar me zyrtarë të pushtetit vendor për falsifikimin e dokumenteve të pronësisë.
Sipas Haderit, kallëzimi është bërë rreth një muaj më parë, por deri më tani nuk ka pasur një reagim apo informacion nga institucionet për ecurinë e hetimeve.
“Situata është e agravuar. Kallëzimi është bërë para një muaji dhe nuk kemi asnjë reagim. Dosja përmban më shumë se dy fashikuj. Banorët kërkojnë vetëm një përgjigje se çfarë po ndodh me këtë çështje dhe me kallëzimin që kanë bërë”, u shpreh ai.
Banorët e zonës kërkojnë që institucionet e drejtësisë të japin një zgjidhje për konfliktin e pronësisë, i cili prej më shumë se një muaji ka shkaktuar tensione në zonë. Në Rrjoll janë raportuar edhe përplasje mes banorëve, punonjësve të kompanive të ndërtimit, efektivëve të policisë dhe rojeve private të kompanisë Breçani Security, të kontraktuara për ruajtjen e kantierit.














