Advertisement

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike shqyrton këtë të hënë projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri.

Mbledhja është parashikuar në orën 11:00 dhe në rendin e ditës janë diskutimi dhe miratimi në parim, shqyrtimi nen për nen dhe miratimi në tërësi i projektligjit. Sipas kalendarit parlamentar, ky hap i hap rrugën votimit të projektligjit në seancë plenare më 8 tetor.

Reklame

Në të njëjtën kohë, dhjetëra qytetarë janë mbledhur para Kryesisë së Kuvendit në protestë kundër reformës së propozuar, duke kundërshtuar shkrirjen e bashkive ekzistuese.

Nga 61 në 46 bashki

Projektligji i propozuar nga Partia Socialiste parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Në draft parashikohet shkrirja e 15 bashkive, të cilat do t’u bashkohen bashkive fqinje.

Bashkitë që preken nga propozimi janë:

  • Fushë-Arrëz
  • Klos
  • Rrogozhinë
  • Dimal
  • Poliçan
  • Patos
  • Divjakë
  • Selenicë
  • Maliq
  • Këlcyrë
  • Memaliaj
  • Libohovë
  • Cërrik
  • Belsh
  • Përrenjas

Në modelin e ri parashikohen gjithashtu 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative. Drafti propozon krijimin e nivelit të “Qytetit” brenda bashkive, krahas njësive administrative.

Kundërshtimet për reformën

Reforma territoriale ka shkaktuar debate politike dhe kundërshtime nga disa bashki e komunitete që preken nga bashkimi.

Banorë të disa prej bashkive që parashikohet të shkrihen kanë protestuar kundër draftit, duke argumentuar se ndryshimi mund të ndikojë në përfaqësimin vendor dhe aksesin në shërbime.

Edhe opozita ka paraqitur një alternativë. Partia Demokratike ka propozuar një organizim me 100 bashki dhe gjashtë rajone: Shkodër-Lezhë, Dibër-Kukës, Tiranë-Durrës, Elbasan-Korçë, Fier-Berat dhe Vlorë-Gjirokastër.

Pas shqyrtimit në Komisionin e Ligjeve, projektligji pritet të kalojë për votim në seancë plenare më 8 tetor, ku mazhorancës i nevojiten 84 vota për miratimin e tij.

Lexo edhe

Protestë para Kuvendit. Banorët e Memaliajt dhe Fushë-Arrëzit kundër hartës së re territoriale

“Rama është i plagosur rëndë”, Berisha mbledh aleatët për hartën territoriale: Ne propozojmë 100 bashki

Reklame