Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka arrestuar pasditen e kësaj të hëne (5 tetor 2026), Leli Kajën, administrator i kompanisë “ECO-ELB”, e cila menaxhon inceneratorin e Elbasanit.
Sipas njoftimit të SPAK, Kaja dyshohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas organit të akuzës, hetimi është zhvilluar në kuadër të një procedimi penal të regjistruar më 1 tetor 2026 nga Prokuroria e Posaçme, pas referimit të BKH-së.
Nga hetimet e kryera deri tani dyshohet se administratori i “ECO-ELB” i ka kërkuar dhe marrë shumën prej 400 mijë lekësh një administratori të një operatori ekonomik.
Sipas SPAK, shuma është dhënë në këmbim të moskryerjes së detyrave që Leli Kaja kishte për shkak të funksionit të tij si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.
“Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, sot, më 5.10.2026 arrestuan në flagrancë shtetasin L.K., administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara.
Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a. Gjatë kontrollit personal, shtetasit L.K. iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur”,- thuhet në njoftimin e SPAK.
Emri i Leli Kajës, administratorit të “ECO-ELB”, kompanisë që administron inceneratorin e Elbasanit, është lakuar në media në lidhje me hetimet për inceneratorin, problematikat e funksionimit të tij dhe tenderët e zhvilluar nga kompania.
Në korrik 2025, Prokuroria e Elbasanit kreu kontrolle në disa banesa të personave të lidhur me aktivitetin e kompanisë, mes tyre edhe në banesën e Leli Kajës. Në fokus të hetimit ishin marrëdhëniet institucionale dhe financiare mes “ECO-ELB” dhe bashkive të qarkut Elbasan.
Një nga çështjet që është verifikuar lidhet me pagesat e bashkive për shërbimet e menaxhimit të mbetjeve. Sipas raportimeve mbi hetimin, prokuroria ka ngritur dyshime se në disa raste janë kryer pagesa për shërbime që mund të jenë realizuar vetëm pjesërisht ose nuk janë kryer, ndërsa inceneratori nuk ka qenë funksional.
Sipas një hetimi të Prokurorisë së Elbasanit, impianti gjatë vitit 2022 ka funksionuar vetëm për rreth 24 ditë. Pavarësisht kohës së gjatë jashtë funksionit, pagesat ndaj “ECO-ELB” kanë vijuar. Për periudhën nga dhjetori 2021 deri në fund të vitit 2022, sipas të dhënave, Bashkia Elbasan ka paguar rreth 550 milionë lekë të vjetra.
Hetimet janë shtrirë edhe te kontratat e “ECO-ELB” me kompani private për menaxhimin e mbetjeve. Një prej tyre është kontrata me kompaninë “Ergi” sh.p.k., për menaxhimin e mbetjeve në landfill. Raportimet mbi tenderin kanë ngritur pikëpyetje për procedurën dhe për realizimin e shërbimit të kontraktuar.
Vetë “ECO-ELB” është kompania publike që administron landfillin dhe impiantin e mbetjeve në Elbasan. Për shkak të mosfunksionimit të inceneratorit, menaxhimi i mbetjeve në qytet ka vijuar të jetë një problem i përsëritur, ndërsa kompania është përballur edhe me detyrime të konsiderueshme financiare. Në mars 2026, u raportua se “ECO-ELB” kishte mbi 2.7 milionë euro detyrime ndaj OSHEE-së, për energjinë elektrike dhe kamatëvonesat.
lexo edhe
Tabaku: Inceneratorët janë testi i lakmusit për drejtësinë, hetimi duhet të shkojë deri në fund
Inceneratori i pa-ndërtuar i Tiranës, kompania nën sekuestro me fitim 8 mln euro në 2025














