Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj SPAK dhe kreut të saj, Altin Dumani, lidhur me atë që ai e cilëson si skandalin e takimit në Aruba mes përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe personave të lidhur me kartelet e drogës.
Në një deklaratë para ambienteve të SPAK, Berisha tha se autoritetet spanjolle kanë sjellë në Shqipëri dosjen e plotë të çështjes, por sipas tij, po bëhen përpjekje për të fshehur emrat e zyrtarëve të përfshirë.
“Prej tre vitesh shqiptarët kanë dëgjuar për takimin famëkeq në Aruba të përfaqësuesve të qeverisë shqiptare me bosët e karteleve të drogës. Prania e tyre është konfirmuar nga gazetarë investigativë dhe nga media ndërkombëtare”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, Aruba përbën “dëshminë më flagrante të narkoshtetit shqiptar” dhe të lidhjeve mes qeverisë dhe grupeve kriminale.
Berisha akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani, se po publikon emrat e biznesmenëve të përfshirë në dosje, por jo identitetin e zyrtarëve shtetërorë që sipas tij kanë marrë pjesë në takime.
“Autoritetet spanjolle sollën dosjen e plotë. Tani nxirren emrat e biznesmenëve të implikuar, por jo të qeveritarëve. Kush ishin ata që shkuan në Aruba? Pse nuk bëhen publikë emrat e tyre?”, u shpreh ai.
Lideri demokrat shkoi edhe më tej, duke pretenduar se SPAK po mbron persona në nivelet më të larta të qeverisë dhe se heshtja për këtë çështje e bën prokurorinë pjesë të problemit.
“A mund t’i fshihet një populli identiteti i zyrtarëve që udhëtuan në Aruba dhe zhvilluan takime? Tani po zbatohet omerta, kodi i heshtjes”, deklaroi Berisha.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur hetimet për dosje të ndryshme të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave vijojnë të jenë në fokus të debatit politik në vend.
Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga SPAK lidhur me akuzat e ngritura nga kreu i Partisë Demokratike.















