Një 26-vjeçar është arrestuar në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Target 4”, pas një hetimi dy mujor të zhvilluar me metoda proaktive.
Sipas Policisë, në pranga është vënë D. Sh., 26 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për shitjen e lëndëve narkotike në qytet. Mediat e identifikojnë të arrestuarin si Denis Shytaj.
Gjatë operacionit, në hyrje të qytetit të Mamurrasit, në një objekt të improvizuar, policia gjeti të fshehura lëndët narkotike që dyshohet se do të shiteshin.
Në total u sekuestruan 338 doza Cannabis Sativa, një pjesë e tyre në trajtë “gelato”, me përqindje të lartë THC, si dhe një sasi kokaine.
Nga sasia e kanabisit, policia bën me dije se 194 doza ishin në formën e zakonshme, ndërsa 144 doza ishin në trajtë “gelato”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu:
- 2 peshore elektronike;
- 2 celularë;
- 1 automjet;
- sasi të tjera të lëndës së dyshuar narkotike.
Hetimi zgjati rreth dy muaj dhe u zhvillua nga specialistët e seksioneve për Hetimin e Narkotikëve dhe për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Operacioni “Target 4” vjen pas një hetimi që, sipas policisë, synoi dokumentimin e aktivitetit të dyshuar të 26-vjeçarit në prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Lexo edhe
Parashikimi i motit për ditën e sotme 23 shtator, kthjellime dhe vranësira
Horoskopi, 23 shtator/ Zbuloni çfarë parashikojnë yjet për secilën shenjë















