Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim subjektin tregtar “Buzi Store”, nën akuzën për “fshehje të të ardhurave”, vepër penale e kryer në bashkëpunim me ekonomistin e kompanisë.

Sipas njoftimit zyrtar, në përfundim të procedimit penal nr. 8744, të vitit 2024, hetimet kanë zbuluar se kompania ka shmangur rreth 3.7 milionë euro të ardhura duke mos i deklaruar ato në organet tatimore. Veprimtaria e paligjshme u zhvillua përmes një skeme të sofistikuar të fshehjes së xhiros dhe lëshimit të faturave të falsifikuara.

Reklame

Gjatë hetimeve disa mujore, të zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, u kryen kontrolle në 8 adresa të lidhura me subjektin “Buzi Store” dhe shoqërinë e fiskalizimit.
Gjatë operacionit u sekuestruan:

njësi kompjuterike,

telefona celularë dhe tableta,

si dhe vlera monetare prej 8 milionë lekësh, të pajustifikuara me dokumentacion ligjor.

Prokuroria ka zbuluar se kompania përdorte një sistem kompjuterik të paautorizuar për lëshimin e faturave tatimore, përmes platformës online “store.dyqanimen.com”, e cila nuk ishte e licencuar. Ky sistem mundësonte lëshimin e faturave fiktive, me mangësi ligjore dhe pa fiskalizim të vlefshëm.

Në disa raste, kompania lëshonte fatura me vlera më të larta për klientët, ndërsa deklaronte në sistem shuma shumë më të ulëta për qëllime tatimore, duke shmangur pagesën e detyrimeve ndaj shtetit.

Prokuroria ka ngritur ndaj përfaqësuesve të subjektit dhe ekonomistit të kompanisë akuzën për:

“Fshehje të të ardhurave”, parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal,e kryer në bashkëpunim, sipas nenit 25 të Kodit Penal.

Dosja tashmë i është dërguar Gjykatës së Tiranës, ndërsa pritet të caktohet data e seancës së parë gjyqësore.

Reklame