Mbledhja e Komisionit të Ligjeve për shqyrtimin e kërkesës së opozitës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, zgjati vetëm shtatë minuta dhe përfundoi pa asnjë dakordësi mes palëve.

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste nuk u tërhoqën nga raportet e tyre përkatëse, duke bërë që çështja të kalojë për votim në seancën plenare të Kuvendit, ku do të shqyrtohen të dy raportet.

Reklame

Deputeti i PD-së, Ivi Kaso, tha gjatë mbledhjes se koha e marrë për shqyrtimin e raportit të mazhorancës “ia vlejti”, pasi sipas tij edhe raporti i deputetit Damian Gjiknuri “konfirmon se shkeljet ekzistojnë, ndonëse i cilëson procedurale”.
“Për ne, këto shkelje janë thelbësore, sepse duke u hequr të drejtën për të folur deputetëve, cenohet e drejta e sovranit. Kryetari i Kuvendit ka bërë më të keqen për demokracinë dhe duhet shkarkuar,” deklaroi Kaso.

Në anën tjetër, deputeti socialist Damian Gjiknuri tha se nuk kishte asgjë për të shtuar, duke theksuar se “në këto kushte, secila palë do t’i dërgojë Kuvendit raportin e vet për votim”.

Opozita zyrtarizoi kërkesën për shkarkimin e Peleshit më 19 shtator, pas përplasjeve në seancat e para të legjislaturës, ku sipas tyre, kryetari nuk lejoi diskutimin për programin e qeverisë dhe shkelte rregulloren parlamentare.

Tashmë, vendimi përfundimtar do t’i takojë seancës plenare të Kuvendit, e cila do të votojë mes dy raporteve kontradiktore të paraqitura nga mazhoranca dhe opozita.

Reklame