Kryeministri Edi Rama ka propozuar Klodiana Spahiun për detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Propozimi vjen në kuadër të angazhimit të qeverisë për një shëndetësi më të aksesueshme dhe forcimin e mirëqenies sociale.
Spahiu është mjeke kardiologe me një karrierë të gjatë në sistemin shëndetësor, akademik dhe drejtues. Ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, në degën “Mjekësi e Përgjithshme”, në vitin 1997.
Në periudhën 1998-2002 është specializuar në kardiologji pranë QSUT “Nënë Tereza” në Tiranë. Gjatë karrierës së saj ka kryer edhe disa specializime jashtë vendit, veçanërisht në Itali, në fushën e kardiologjisë joinvazive dhe invazive.
Ajo është specializuar në ekokardiografi, PU-EKG dhe eko-doppler të karotideve pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore”, Fakulteti i Mjekësisë dhe Kirurgjisë “Agostino Gemelli”, në Romë.
Në vitet 2003-2004 ka ndjekur studime pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë, në Departamentin e Lëndëve Paraklinike. Ndërsa gjatë periudhës tetor-dhjetor 2005 ka kryer specializim në kardiologjinë invazive, përfshirë kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës, pranë spitalit “Santa Chiara” në Pisa.
Në vitet 2012-2014 ka përfunduar masterin profesional në menaxhim shëndetësor.
Nga mjeke kardiologe te drejtimi i spitalit
Klodiana Spahiu ka ushtruar profesionin e mjekes në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT. Gjithashtu, gjatë viteve 2003-2009 ka punuar si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në Spitalin e Durrësit.
Më pas, ajo është zgjedhur drejtoreshë e Spitalit të Durrësit.
Përveç përvojës në sistemin shëndetësor, Spahiu ka një karrierë edhe në fushën akademike. Në vitet 2002-2003 ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike në Universitetin e Tiranës.
Në vitin 2006 ka qenë pedagoge e jashtme e fiziologjisë në Universitetin “UFO” në Tiranë. Nga viti 2008 e në vazhdim, ajo ka qenë docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”.
Klodiana Spahiu mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.
Propozimi i saj për postin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale pritet të pasohet nga procedurat përkatëse institucionale për emërimin në detyrë.
Lexo edhe:
Jep dorëheqjen ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala! Do ti përkushtohet kërkimit shkencor
Evis Sala konfirmon dorëheqjen: “Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post”















