Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e situatës së zjarreve në vend, ku vijojnë aktive 7 vatra, ndërsa forcat operacionale janë të angazhuara në disa qarqe.
Sipas informacionit operacional të datës 30 gusht 2026, ora 20:00, në territorin e Shqipërisë janë raportuar gjithsej 20 vatra zjarri. Prej tyre, 7 mbeten aktive, ndërsa 3 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 284 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të strukturave vendore, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 80 efektivë dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
Dibra, zona me angazhimin më të madh
Situata më e ngarkuar raportohet në qarkun Dibër, ku vijojnë ndërhyrjet në disa vatra.
Në Vajkal janë angazhuar 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në Sllatinë operojnë 91 forca.
Aktive mbeten edhe vatrat në Lundre të Matit, ku gjatë operacionit është përdorur një helikopter i FA-së, si dhe në Ballenjë të Martaneshit, në një zonë të mbrojtur.
Zjarri vijon edhe në Dajt
Në zonën e Dajtit, në drejtim të Qafë-Priskës, puna për shuarjen e flakëve vijon me 15 zjarrfikës, 9 forca të AdZM-së dhe 20 efektivë ushtarakë. Operacioni mbështetet edhe nga një helikopter.
Vatra aktive në Korçë dhe nën mbikëqyrje në zona të tjera
Në Qafën e Lugut, Vithkuq, zjarri në një sipërfaqe pyjore do të monitorohet gjatë natës për shkak të terrenit të vështirë, që nuk lejon ndërhyrjen në orët e vona.
Ndërkohë, në Zall të Fushë-Krujës, zjarri i riaktivizuar është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së MZSH-së, forcave bashkiake dhe 30 efektivëve të FA-së. Sipas autoriteteve, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.
Gjatë ditës janë shuar plotësisht zjarret në Strikçan dhe Nivicë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.
Forcat operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje, me fokus mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Lexo edhe:
Zjarret/ 10 vatra në 24 orë, 7 mbeten aktive! Flakët në Dajt, Dibër, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë
Zjarret vijojnë në Shqipëri, 4 vatra aktive! Situata më problematike në Dajt dhe Vajkal















