Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zjarrit masiv që përfshiu një pallat 12-katësh në kompleksin “Arlis”, në zonën e njohur si “Farmacia 10” në Tiranë, duke garantuar se godina e dëmtuar do të rindërtohet plotësisht.

Në një reagim publik, Rama theksoi se ndërtesa do të rikthehet në gjendje nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se, sipas të dhënave paraprake, shkaku i zjarrit nuk lidhet me cilësinë e ndërtimit.

Reklame

“Ndërtesa që u dogj do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi. Nuk mund t’i lëmë vetëm banorët e dëmtuar në pronën e tyre, por nga ana tjetër as taksapaguesit nuk duhet të paguajnë për humbje që duhet të mbulohen nga sigurimi”, u shpreh ai.

Kreu i qeverisë e shfrytëzoi këtë ngjarje edhe për të bërë thirrje ndaj qytetarëve që të sigurojnë banesat e tyre ndaj fatkeqësive, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri.

Ai garantoi familjet e prekura se nuk do të mbeten të pambështetura, ndërsa u uroi shëndet dhe rikuperim sa më të shpejtë pas traumës së përjetuar.

Në fund, Rama falënderoi zjarrfikësit dhe forcat e rendit për ndërhyrjen, duke e cilësuar punën e tyre si heroike në shpëtimin e jetëve të rrezikuara nga flakët.

Reklame