TEPELENE – Një vatër e madhe zjarri ka përfshirë dhjetëra hektarë në zonën e Dragotit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në pyje, ullishte, pemëtari dhe kultura bujqësore.
Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha dhe situata mbetet serioze, ndërsa ekziston rreziku i përhapjes së mëtejshme të zjarrit në zonat përreth.
Në terren janë angazhuar ekipet e MZSH-së nga Tepelena, Gjirokastra dhe Libohova, së bashku me efektivë të Forcave të Armatosura. Forcat operacionale po punojnë për izolimin e vatrave dhe për të parandaluar afrimin e flakëve drejt banesave dhe pronave të qytetarëve.
Zjarri ka shkaktuar dëme në sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi dhe toka bujqësore, ndërsa ndërhyrja vijon pa ndërprerje për të kufizuar përhapjen e flakëve.
Strukturat e emergjencës u kanë bërë thirrje banorëve të tregohen të kujdesshëm, të mos afrohen pranë vatrave të zjarrit dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve.
Situata vijon të monitorohet nga strukturat e Mbrojtjes Civile, ndërsa ekipet në terren mbeten në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo zonë ku paraqitet rrezik për banesat dhe pasurinë e qytetarëve.
Lexo edhe:
Zjarret në Shqipëri/ 28 vatra në 24 orë, 4 mbeten aktive! Situata më problematike në Bulqizë
Zjarret/ 10 vatra në 24 orë, 7 mbeten aktive! Flakët në Dajt, Dibër, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë














