Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet ndaj drejtuesve të motomjeteve, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkeljeve që cenojnë sigurinë rrugore.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara në dy ditët e fundit, janë proceduar penalisht 19 shtetas, janë sekuestruar 19 motomjete elektrike dhe janë vendosur gjithsej 530 masa administrative.

Reklame

Sipas Policisë, 19 shtetas janë konstatuar duke drejtuar motomjete elektrike pa lejen përkatëse të drejtimit. Për ta ka nisur procedimi penal për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, ndërsa mjetet janë sekuestruar.

Kontrollet janë përqendruar edhe te shkeljet e tjera të rregullave të qarkullimit rrugor. Konkretisht janë vendosur:

  • 371 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
  • 76 masa për qarkullim në korsitë e biçikletave dhe hapësirat e dedikuara për këmbësorët;
  • 28 masa për kryerje manovrash të rrezikshme dhe mosrregullim të shpejtësisë në qendrat e banuara;
  • 21 masa për shkaktim zhurmash përmes sistemit të shkarkimit të gazrave;
  • 18 masa për motomjete pa targa ose shenja dalluese;
  • 10 masa për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara;
  • 6 masa për drejtim pa lejen përkatëse.

Policia Rrugore bën me dije se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugët e kryeqytetit.

Në apel drejtuar drejtuesve të motomjeteve, Policia kërkon respektimin e rregullave të qarkullimit, pajisjen me leje drejtimi, përdorimin e kaskës mbrojtëse dhe shmangien e manovrave të rrezikshme.

Lexo edhe

Rrugorja në Dibër kontrolle me dron dhe radar, 1858 drejtues mjetesh të ndëshkuar në korrik

Rrugorja e Tiranës “shqep” me gjoba shoferët, mbi 12 mijë shkelje të konstatuara brenda një jave

Reklame