Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar reformën administrativo-territoriale të vitit 2014, duke e cilësuar atë si një nga faktorët kryesorë të shpopullimit të Shqipërisë rurale.
Në një deklaratë lidhur me debatin për reformën e re territoriale, Berisha tha se ndryshimet e vitit 2014 kanë sjellë pasoja të rënda për komunitetet lokale dhe kanë ndikuar në përkeqësimin e shërbimeve dhe infrastrukturës në zonat rurale.
“Antireforma territoriale e vitit 2014 u faktua përfundimisht si një levë e Arkimedit për shpopullimin e Shqipërisë”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, reforma e vitit 2014, e cila reduktoi numrin e njësive të qeverisjes vendore nga 410 bashki dhe komuna në 61 bashki, ishte një goditje e rëndë për Shqipërinë rurale.
“Reforma që u përdor në vitin 2014, që solli nga 410 njësi vendore, bashki dhe komuna të marra së bashku, gjithsej 61 bashki apo njësi të qeverisjes vendore, ishte goditja më e rëndë që ajo që mund ta quajmë Shqipëria rurale, mori, dhe në tërësi Shqipëria, pasi pa Shqipëri rurale të zhvilluar nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar”, u shpreh ai.
Berisha pretendoi se më shumë se 45% e popullsisë humbi shërbimet dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me qeverisjen vendore.
“Mbi 45 përqind e popullatës humbi shërbimet, humbi qeverisjen direkte me njerëz të zgjedhur prej saj. Humbi të gjithë perspektivën e jetesës në komunat ku jetonin. Koha për Shqipërinë rurale ndaloi”, tha kreu i PD-së.
Ai solli si shembull zonën e Shëngjergjit, duke pretenduar se që prej vitit 2013 nuk janë kryer investime në këtë zonë.
“Unë ftoj mediat të shkojnë në ish-komunën Shëngjergj, tani është fshati Shëngjergj. Nga viti 2013 gjer sot, në këtë zonë nuk është investuar një qindarkë”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, edhe zona të tjera, si Baldushku, Preza dhe Ndroqi, kanë mbetur pa zhvillimin e duhur dhe përballen me mungesë shërbimesh dhe investimesh.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverisjen vendore dhe qendrore për keqmenaxhim të fondeve publike. Ai pretendoi se 3.2 miliardë euro janë “vjedhur” për pllakat e qendrave të qyteteve, ndërsa sipas tij, këto fonde mund të ishin përdorur për investime në zonat rurale.
“3.2 miliardë euro u vodhën në pllakat e qendrave të qyteteve. Me 3.2 miliardë euro u ndërtuan në Shqipërinë rurale mbi 8 mijë kilometra rrugë, u ndërtuan dhe u rindërtuan mbi 1 mijë objekte arsimi, qendra shëndetësore”, u shpreh ai.
Berisha e lidhi reformën territoriale edhe me problematikën e shpopullimit, duke argumentuar se mungesa e investimeve dhe shërbimeve në zonat rurale ka nxitur largimin e banorëve.
Deklaratat e kreut të PD-së vijnë në një kohë kur reforma administrativo-territoriale është rikthyer në qendër të debatit politik, ndërsa mazhoranca ka paraqitur propozime për riorganizimin e hartës së njësive vendore.
Debati pritet të vijojë gjatë periudhës së ardhshme, ndërsa palët politike kanë qëndrime të ndryshme mbi mënyrën se si duhet të organizohet qeverisja vendore dhe nëse reforma e vitit 2014 duhet të rishikohet.
Lexo edhe:
Berisha: Licenca e kazinosë në Air Albania u dha në shkelje të ligjit
Berisha akuzon Edi Ramën: “Kryeson mafien më të rrezikshme në Evropë”















