Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit te Forcat e Armatosura të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri, sipas standardeve të NATO-s, nga kompania “Timak Defence”.

Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend.

Reklame

“Ajo që ishte e shkruar në strategji, sot është e parë me sy. Flota e prodhuar në Shqipëri, sipas standardeve të NATO-s dhe nga profesionistë shqiptarë, sapo ka filluar të vihet në dispozicion të ushtrisë shqiptare”, u shpreh Rama.

Kryeministri e cilësoi këtë si një ditë të jashtëzakonshme për Forcat e Armatosura, duke deklaruar se ato kanë kaluar nga një periudhë e vështirë drejt një faze të re zhvillimi.

“Është një ditë e jashtëzakonshme. Forcat e Armatosura ishin në pikë të hallit, që mbaheshin në këmbë nga pasioni, vullneti, dija dhe patriotizmi, nga ata që qysh në fëmijëri i kanë kushtuar jetën uniformës së ushtarakut, por ishin të braktisur në fatin e tyre”, deklaroi ai.

Sipas Ramës, Shqipëria po hyn në një fazë të re, ku nuk do të jetë vetëm përdoruese e teknologjisë, por do të synojë të zhvillojë edhe kapacitete prodhuese në këtë sektor.

“Sot jemi dëshmitarë që kemi hyrë në një fazë të re, të një Shqipërie e cila nuk është vetëm përdoruese e teknologjisë, por përdoruese e kapaciteteve të teknologjisë, të cilat sapo kanë filluar të japin frytet e para”, tha kryeministri.

Rama vlerësoi gjithashtu strategjinë që, sipas tij, ka çuar në krijimin e kompanisë “Kayo”, duke e cilësuar atë si një realitet të ri dhe një sipërmarrje 100% shtetërore.

Ai theksoi se qeveria synon që Shqipëria të prodhojë brenda vendit ato pajisje dhe produkte që ka kapacitet t’i zhvillojë vetë, duke kundërshtuar një model ekonomik ku kompanitë e huaja përfitojnë nga asetet vendase pa krijuar një partneritet me shtetin shqiptar.

“Ne nuk jemi të prirur të blejmë nga jashtë asgjë që mund të prodhojmë këtu. Ne nuk jemi të prirur që të mikpresim këtu kompani të huaja që marrin asetet tona dhe gjithçka e çojnë jashtë. Ne nuk jemi të prirur që të tjerët të fitojnë dhe shteti shqiptar të vërë në punë vetëm asetet. Ne kërkojmë që çdo kompani që vendos të vijë në Shqipëri duhet të jetë palë me shtetin shqiptar”, deklaroi Rama.

Dorëzimi i 40 mjeteve taktike shënon një tjetër hap në procesin e modernizimit të Forcave të Armatosura dhe në zhvillimin e kapaciteteve të industrisë shqiptare të mbrojtjes.

Lexo edhe:

Rama e shkriu si bashki, qindra socialistë në Poliçan djegin teserat e PS-së

Rama: UKT përmirëson shërbimet, shtohen 4 numra të rinj komunikimi për qytetarët

Reklame