Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur thirrjeve të protestuesve për dorëheqjen e qeverisë, duke deklaruar se nuk do të largohet nga detyra vetëm për shkak të presionit të një pjese të qytetarëve që kërkojnë largimin e tij.

Në një fjalim para strukturave të Partisë Socialiste, Rama tha se në një demokraci qeveritë dhe partitë politike qëndrojnë në pushtet për aq kohë sa kanë mbështetjen e qytetarëve përmes votës dhe shumicën në Kuvend.

Reklame

Rama: Nuk largohemi sepse një pakicë bërtet

Duke iu referuar protestave dhe thirrjeve për dorëheqje, kryeministri tha se largimi nga detyra vetëm për shkak të presionit të protestuesve nuk përbën, sipas tij, një akt udhëheqësie apo përgjegjësie institucionale.“Pse nuk largohemi ne sot dhe pse duam ne ta meritojmë vazhdimësinë nesër? Duket e çuditshme që duhet thënë, kjo është demokracia. Një parti politike as nuk e trashëgon dot timonin e pushtetit, as nuk e ka pronë me testament, por as nuk ka të drejtë ta lëshojë rrugës sepse disa të tjerë duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se pushteti ushtrohet për aq kohë sa një forcë politike ka marrë votat e qytetarëve dhe gëzon mbështetjen e shumicës parlamentare.

Sipas tij, as opozita dhe as mazhoranca nuk mund të pretendojnë se janë vetë populli.“As ata nuk janë populli, as ne dhe asnjë grup tjetër, kudo qoftë. Të gjithë jemi pjesë e tij. Mund të përfaqësojmë popullin dhe të flasim në emër të tij vetëm nëse ai na e jep këtë mandat sipas Kushtetutës. Kush duhet të jetë në qeveri dhe kush në opozitë, këtë e thotë populli vetëm me votë”, u shpreh kryeministri.

“Nuk është përgjegjshmëri të largohesh sepse një pakicë bërtet”

Rama tha se thirrjet për dorëheqje nga protestuesit nuk do ta ndryshojnë vendimin e tij për të vijuar detyrën.

Ai deklaroi se vendimi për të qëndruar në pushtet lidhet me përgjegjësinë që, sipas tij, ka marrë përballë qytetarëve dhe me detyrat që Shqipëria ka përpara.“Të largohesh nga detyra vetëm sepse një pakicë bërtet, nuk është tipar udhëheqës, as përgjegjshmëri institucionale. Është braktisje e një përgjegjësie shumë të madhe”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se thirrjet për dorëheqje, edhe pse i konsideron pjesë të debatit politik dhe demokratik, nuk mund të jenë arsye për braktisjen e detyrës.

Rama: Po të mos ishte dera e hapur e BE-së, mund të isha tërhequr

Duke shpjeguar arsyet pse nuk mendon të largohet nga detyra, Rama iu referua procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ai tha se vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm historik dhe se negociatat për anëtarësimin në BE kërkojnë angazhim dhe punë të vazhdueshme.

Sipas Ramës, nëse Shqipëria nuk do të ishte në këtë fazë të procesit të integrimit evropian, ai mund të ishte tërhequr pas 12 vitesh në krye të qeverisë.“Nëse nuk do të ishte urgjenca e përditshme e detyrave të panuar të anëtarësimit, që nuk presin as ditën, jo më javën, dhe nëse dera e hapur për herë të parë e BE-së për Shqipërinë, jo me fjalë, por konkretisht, nuk do të ishte kaq afër, me shumë gjasë do të isha tërhequr me shumë mirënjohje në katundin tim të vogël, pas 12 vitesh të jetuara me mish e shpirt në detyrën më të lartë që një vend i jep birit të vet”, deklaroi Rama.

Ai argumentoi se Shqipëria e vitit 2026 është, sipas tij, shumë ndryshe nga vendi që Partia Socialiste mori në drejtim në vitin 2013.

Rama tha se, pavarësisht gabimeve dhe të metave, qeverisja e PS-së ka sjellë ndryshime që e kanë transformuar vendin dhe se procesi i integrimit në BE përbën një objektiv që kërkon vijimësi.

“Do të bëj të pamundurën deri në ditën e fundit të mandatit”

Kryeministri deklaroi se do të punojë deri në fund të mandatit të katërt për të arritur objektivat e Partisë Socialiste dhe të qeverisë.

Ai tha se mandati i katërt nuk duhet të shihet thjesht si vazhdim i qeverisjeve të mëparshme, por si një periudhë e re për vendin dhe për vetë PS-në.“Deri në ditën e fundit të mandatit të katërt, do të bëj të pamundurën që partia jonë të nxjerrë gjithçka nga vetja për Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh Rama.

Sipas tij, PS-ja duhet të vazhdojë të kërkojë besimin e qytetarëve jo vetëm për shkak të rezultateve të zgjedhjeve, por edhe përmes punës së përditshme.

Rama argumentoi se Shqipëria ndodhet në një fazë ku nuk mund të ndalet dhe të ndryshojë drejtim pa marrë në konsideratë objektivat strategjikë të vendit.“Shqipëria nuk është sot ende një vend në rrugë të zakonshme që mund të ecë, ndalojë, ndërrojë qeverinë dhe të vazhdojë ku e la, sikur koha mos të kishte çmimin dhe historia të ishte tren që rri në stacion”, tha kryeministri.

Fjalimi i Ramës vjen në një kohë kur opozita dhe protestuesit vijojnë të kërkojnë largimin e qeverisë, ndërsa kryeministri e lidh vijimin e mandatit me votën e marrë në zgjedhje dhe me objektivat që vendi ka përpara, veçanërisht procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Lexo edhe:

Rama: Makineria jonë elektorale duhet të shpëtojë nga vetvetja, mandati i katërt të jetë kthesë për PS-në

“Prokuroria t’i tregojë vendin”/ Rama publikon videon e Shehajt

Reklame