Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit për protestën e zhvilluar jashtë godinës së Parlamentit, duke i kërkuar Policisë së Shtetit të ndalojë, sipas saj, ndërhyrjen dhe dhunën ndaj protestuesve.

Gjatë fjalës së saj, Tabaku deklaroi se qytetarët nuk po protestojnë kundër opozitës, por kundër mazhorancës socialiste dhe asaj që ajo e cilësoi si arrogancë të pushtetit.

Reklame

Sipas deputetes së PD-së, qytetarët kanë humbur besimin te Parlamenti, të cilin ajo e akuzoi se nuk i përfaqëson më interesat e tyre.

Tabaku hodhi poshtë gjithashtu akuzat e shumicës se opozita po nxit tensionet gjatë protestës. Ajo tha se vetë ka qenë vazhdimisht mes protestuesve dhe se nuk është përballur me probleme.

“Unë shkoj gjithmonë në atë protestë dhe nuk më prek njeri me dorë. Të provojë njëri prej jush të shkojë atje; të provojë një përfaqësues i mazhorancës socialiste”, u shpreh Tabaku.

Ajo u bëri thirrje deputetëve të mazhorancës që të dalin jashtë Kuvendit dhe të dëgjojnë drejtpërdrejt shqetësimet e qytetarëve.

Tabaku: Reforma territoriale nuk duhet të bëhet për interesa elektorale

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së Tabakut u përqendrua te Reforma Territoriale. Deputetja demokrate akuzoi mazhorancën se po ndjek një proces të njëanshëm dhe se po përsërit, sipas saj, gabimet e reformës së vitit 2014.

Tabaku deklaroi se ndarja territoriale duhet të vendosë në qendër qytetarët, decentralizimin dhe financat e pushtetit vendor dhe jo interesat politike apo elektorale.

“Vetëm reformë në interes të zgjedhjeve, ndërkohë që ne kërkojmë një reformë në interes të qytetarëve”, deklaroi ajo.

Duke iu referuar qëndrimeve të Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale, Tabaku tha se reformat e njëanshme nuk mund të jenë zgjidhje dhe nuk duhet të miratohen përmes shumicës së kartonëve në Kuvend.

Deputetja e PD-së i kërkoi qeverisë të hartojë një plan pune për katër nismat ligjore të depozituara nga opozita dhe që ato të përfshihen në rendin e ditës së Kuvendit.

Në të njëjtën kohë, ajo kërkoi ndalimin e procesit të njëanshëm për Reformën Territoriale dhe nisjen e një dialogu politik mes palëve.

Sipas Tabakut, vetëm përmes dialogut mund të arrihet një reformë që i shërben interesit të qytetarëve dhe jo interesave të forcave politike.

“Nëse vazhdoni përsëri me këtë iniciativë, ata që sot në shesh mund të jenë me qindra apo me dhjetëra, do të bëhen me mijëra, sepse pikërisht kundër kësaj arrogance po protestojnë: arrogancës së kartonëve, arrogancës së pushtetit dhe arrogancës së 14 viteve që i ka detyruar të dalin në rrugë”, përfundoi Tabaku.

Spiropali sfidon Berishën në Kuvend: A ke fuqinë të çlirosh partinë dhe opozitën? Berisha: Pëllumbesha në botën e çudirave

Reklame