Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka kërkuar transparencë lidhur me financimin e ekspozitave ndërkombëtare ku janë prezantuar punimet artistike të kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë publike, Vangjeli ngriti pyetjen se kush mbulon kostot e ekspozitave, duke përmendur aktivitetet artistike të Ramës në vende të ndryshme të botës.
Sipas saj, kryeministri ka ekspozuar punimet e tij në galeri dhe aktivitete të ndryshme ndërkombëtare, ndërsa qytetarët shqiptarë përballen me rritje të kostos së jetesës dhe barrës fiskale.
Vangjeli u ndal te dy ekspozita të fundit, duke përmendur ekspozitën “Chrysalizing”, e zhvilluar në galerinë Société në Berlin, nga 1 maji deri më 27 qershor 2026, si dhe ekspozitën personale në Marian Goodman Gallery në Paris, e zhvilluar nga 8 qershori deri më 26 korrik 2024.

Sipas saj, kostot e organizimit të ekspozitave të tilla mund të përfshijnë pagesat për hapësirat ekspozuese, transportin e veprave, sigurimin, montimin, promovimin dhe shpenzime të tjera organizative.
“Partia Demokratike dhe opinioni publik kërkon transparencë”, deklaroi Vangjeli, duke kërkuar të bëhet e qartë nëse ekspozitat janë financuar me shpenzime personale të Edi Ramës, nga galeritë pritëse, sponsorë privatë apo subjekte të tjera.
Ajo kërkoi gjithashtu informacion mbi kostot e transportit ndërkombëtar të veprave të artit, sigurimit, montimit, promovimit dhe organizimit të ekspozitave.
“Partia Demokratike i kërkon institucioneve përgjegjëse të verifikojnë nëse janë respektuar të gjitha detyrimet ligjore që lidhen me sa më lart”, thuhet në deklaratë.
Në përfundim, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD theksoi se transparenca është një detyrim ligjor dhe kushtetues dhe kërkoi që institucionet përgjegjëse të verifikojnë mënyrën e financimit të aktiviteteve të përmendura.















