Elbasan – Tre persona mbetën të plagosur mbrëmjen e së enjtes pas një sulmi me armë zjarri në verandën e një lokali në lagjen “Vullnetari”. Policia ka rrethuar zonën dhe është vënë në ndjekje të autorit, i cili është larguar nga vendngjarja.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30, kur një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tre shtetasve.

Reklame

Të plagosur kanë mbetur Armand Tomorrica, 32 vjeç, Renaldo Mance, 31 vjeç dhe Bjorgi Hoxha, 19 vjeç, kamarier në lokalin ku ndodhi sulmi. Ata janë transportuar në spital dhe, sipas Policisë, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nga të dhënat paraprake, njëri prej të plagosurve është goditur në shpatull, ndërsa një tjetër ka marrë plagë në këmbë.

Oficeri i policisë u vu në ndjekje të autorit

Në momentin e të shtënave, në brendësi të lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit. Sapo ka dëgjuar krismat, ai ka dalë menjëherë dhe është vënë në ndjekje të autorit.

Gjatë largimit, autori ka hedhur armën e zjarrit, e cila është sekuestruar nga policia, por ka arritur të largohet në thellësi të lagjes.

Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe po zhvillojnë kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjashtë gëzhoja të gjetura në vendngjarje

Grupi hetimor ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, ku deri tani janë gjetur dhe sekuestruar 6 gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike.

Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e autorit dhe dokumentimin e motiveve të sulmit.

Atentati në Pogradec/ Kapet personi që siguroi vëzhgimin e shënjestrës, arrestohet edhe i plagosuri Brian Syzo

Atentati në Sarandë, zbardhet e kaluara kriminale e Thimjo Rubatit: 9 gëzhoja në vendngjarje

Reklame