Një krim i rëndë në familje tronditi këtë të enjte qytetin e Shkodrës, ku një grua humbi jetën pasi u qëllua me armë gjahu nga bashkëshorti i saj. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 në zonën e Unazës Perëndimore, pranë lagjes “Mark Lula”, vetëm pak metra larg dyqanit të familjes.

Sipas të dhënave paraprake nga Policia, autori i dyshuar është Shtjefën (Shqefën) Ziçi, 64 vjeç, i cili dyshohet se qëlloi me armë gjahu tip çifte bashkëshorten e tij, Bardhe Ziçi, 54 vjeçe. Si pasojë e plagëve të marra, gruaja humbi jetën në vend.

Reklame

Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë ndërhynë dhe arrestuan autorin e dyshuar, ndërsa grupi hetimor nisi veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të krimit.

Të afërmit: “Nuk kishin debate, ishin njerëz të mirë”

Ngjarja ka lënë të tronditur jo vetëm familjarët, por edhe banorët e zonës, të cilët shprehen se nuk kishin dëgjuar më parë për konflikte mes bashkëshortëve.

Kushërira e autorit të dyshuar, Zojë Nika, deklaroi për mediat se familja njihej si e qetë dhe se krimi ishte i papritur.

“Njeri shumë i mirë, edhe gruaja. Në këtë lagje, të pyesësh cep më cep, nuk ia di kush një fjalë të keqe asaj gruaje. Ne na vjen shumë keq. Të dy kanë qenë të mirë. Fat i zi. E kam kushëri, edhe për gruan kam shumë respekt, sepse ka qenë grua e urtë. Debate kurrë s’kam dëgjuar. Kanë shkuar shumë mirë”, u shpreh ajo.

Edhe persona të tjerë pranë familjes kanë pohuar se çifti nuk njihej për probleme apo përplasje të vazhdueshme, çka e bën ngjarjen edhe më të vështirë për t’u shpjeguar në këtë fazë të hetimeve.

Policia vijon hetimet

Policia e Shkodrës ka sekuestruar armën e përdorur në krim dhe po merr në pyetje familjarë, fqinjë dhe persona që mund të kenë dijeni mbi dinamikën e ngjarjes.

Hetuesit po punojnë për të sqaruar motivin që çoi në vrasjen e 54-vjeçares, ndërsa pritet që autori të dalë përpara gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.

Ngjarja rikthen në vëmendje fenomenin e dhunës në familje, ndërsa autoritetet pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat që paraprinë këtë krim të rëndë.

Përplasje e armatosur mes grupeve kriminale në Shkodër/ SPAK dërgon për gjykim Prendin, Lekën dhe Sakicajn

Arratiset nga “arresti në shtëpi” i dyshuari për vrasje, policia në kërkim të Hasan Ferracakut

Reklame