Një ngjarje e rëndë është regjistruar në paraburgimin “313” në Tiranë, ku dy punonjës të institucionit kanë humbur jetën brenda pak orësh nga njëri-tjetri, në rrethana që paraprakisht lidhen me probleme shëndetësore.

Sipas informacioneve paraprake, viktima e parë është 62-vjeçari Zog Muhametaj. Rreth orës 21:00 të mbrëmjes, gjatë zhvillimit të instruktazhit në oborrin e paraburgimit, ai ka pësuar një atak kardiak. Menjëherë i është dhënë ndihma e parë dhe është tentuar transportimi për trajtim mjekësor, por nuk ka mundur të mbijetojë.

Reklame

Pas kësaj ngjarjeje, në institucion është ngritur një grup hetimor, i cili ka kryer këqyrjen e kamerave të sigurisë dhe po verifikon të gjitha rrethanat për të dokumentuar plotësisht rastin.

Vetëm pak orë më vonë, rreth orës 01:00 të mëngjesit, një tjetër punonjës i paraburgimit “313”, Pëllumb Vrana, teknik i sistemit të kamerave të sigurisë, ka pësuar gjithashtu një atak kardiak.

Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por fatkeqësisht nuk ka arritur t’u mbijetojë komplikacioneve.

Deri në këtë fazë të hetimeve, dyshohet se të dy punonjësit kanë humbur jetën si pasojë e problemeve kardiake. Autoritetet po vijojnë veprimet procedurale dhe pritet që ekspertizat mjeko-ligjore të përcaktojnë me saktësi shkaqet e vdekjes së secilit prej tyre.

Ngjarja ka tronditur kolegët dhe stafin e institucionit, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar çdo rrethanë të dy rasteve.

Reklame