Një person ka mbetur i plagosur me thikë pas një konflikti të ndodhur në zonën e Ali Demit në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake të policisë, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Hodo Beg”, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta është dëmtuar me mjet prerës shtetasi Dritan Aga, rreth 41 vjeç. Po ashtu, gjatë incidentit është goditur me grushte edhe shtetasi J. G., rreth 61 vjeç.
Burime paraprake bëjnë me dije se konflikti ka nisur pranë minibashkisë së Ali Demit, në momentin kur Dritan Aga kishte hedhur disa mbeturina në zonë. Pas një debati verbal me një person tjetër, situata ka agravuar deri në përdorimin e thikës.
Policia ka identifikuar si autor të dyshuar shtetasin E. J., rreth 32 vjeç, i cili është larguar nga vendngjarja menjëherë pas ngjarjes.
Të plagosurit janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, ndërsa grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.















