Që në orët e para të mëngjesit, forcat e Komisariatit të Policisë Krujë, të mbështetura nga efektivë të ardhur nga Tirana, kanë nisur një operacion të gjerë antikanabis në territorin e rrethit të Krujës.

Burime nga terreni bëjnë me dije se aksioni është përqendruar kryesisht në zonat që prej vitesh konsiderohen problematike për kultivimin e bimëve narkotike, si Malësia e Krujës, Nikla, Thumana dhe disa fshatra të thellë të kësaj zone.

Reklame

Kontrollet po zhvillohen në parcela të dyshuara, zona pyjore dhe vende me terren të vështirë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo tentative për kultivimin e kanabisit. Në operacion janë angazhuar dhjetëra efektivë, të cilët po ushtrojnë kontrolle të imtësishme në terren.

Kruja ka qenë ndër vite një nga zonat më problematike në vend sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike, ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë vazhdimisht operacione për identifikimin dhe asgjësimin e parcelave të mbjella me kanabis.

Sipas burimeve, me emërimin e drejtuesve të rinj në Komisariatin e Policisë Krujë janë intensifikuar kontrollet dhe operacionet në terren, duke vendosur në fokus të veçantë zonat e konsideruara me risk të lartë për kriminalitetin dhe kultivimin e bimëve narkotike.

Aksioni vijon ende dhe pritet që gjatë orëve në vijim policia të bëjë publike rezultatet e operacionit, si dhe çdo rast të mundshëm të evidentuar gjatë kontrolleve.

Reklame