Një rast shqetësues vjen nga Urgjenca e QSUT-së, ku një 90-vjeçar nga Korça ndodhet prej mbrëmjes së kaluar në kushte të rënda shëndetësore, por sipas familjarëve të tij, nuk po merr asnjë kujdes të duhur nga stafi mjekësor.
Të afërmit e të moshuarit kanë kontaktuar JOQ, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve përkatëse. Ata pretendojnë se “asnjë prej mjekëve nuk po e prek pacientin që lëngon nga dhimbjet dhe temperatura e lartë”.
“Aq shumë dhimbje ka, sa ka filluar të flasë me veten përçartë. Mjekët kanë ardhur, marrin lekët dhe ikin. Gjyshi 90-vjeçar është me temperaturë 40 gradë dhe shumë dhimbje. Ka ardhur nga Korça për trajtim më të specializuar, por prej 24 orësh nuk i është bërë asnjë shërbim, përveç një serumi”, shprehet një prej familjarëve.
Pacienti vuan nga bllokimi i kanalit të tëmthit për shkak të gurëve, duke rrezikuar seriozisht jetën. Sipas familjarëve, analizat e tij kanë dalë shumë keq, por pavarësisht kësaj, stafi nuk ka marrë asnjë masë për ta stabilizuar.
“Na thonë ta çojmë në shtëpi dhe ta sjellim nesër, sepse nuk kanë vende. Por në të njëjtën kohë pranojnë që është rast i rëndë. Askush nuk vendos dorë. Ne kemi ardhur nga Korça dhe nuk dimë çfarë të bëjmë më”, shton familjari.
Ky incident ngre sërish alarmin për mungesën e kujdesit bazë në spitalet shtetërore, veçanërisht në shërbimet e urgjencës, ku çdo minutë mund të jetë vendimtare për jetën e pacientëve.








