Një protestuese që mori fjalën para Kryeministrisë, në vijim të protestave të zhvilluara kundër qeverisë dhe projektit të Zvërnecit, ka propozuar krijimin e një force të re politike si alternativë ndaj qeverisë aktuale.

Pasi recitoi vargje të Fan Nolit, ajo iu drejtua të pranishmëve duke theksuar se sipas saj, rrëzimi i kryeministrit Edi Rama nuk është i mjaftueshëm dhe se nevojitet organizim politik i strukturuar.

Reklame

Sipas saj, protestuesit duhet të bashkohen në një nismë politike me mbi 3 mijë themelues dhe të formalizojnë krijimin e një partie të re përmes një mbledhjeje themeluese dhe depozitimit të kërkesës në Gjykatën e Tiranës.

“Duhet të krijojmë një parti! Të jemi mbi 3000 themelues! Të mbajmë një mbledhje themeluese! Të çojmë një kërkesë te Gjykata e Tiranës që brenda 30 ditëve të miratohet!”, u shpreh ajo mes thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit.

Protesta, e cila vijon prej disa ditësh, është shoqëruar me pankarta, fjalime dhe marshime në rrugët e Tiranës, ku pjesëmarrësit kanë artikuluar kërkesat e tyre kundër qeverisë dhe projekteve të saj zhvillimore.

Reklame