GJKKO jep vendimin për dosjen “Metamorfoza”, dënohen Pëllumb Gjoka dhe Ardit Hasanbegaj

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur këtë të enjte vendimin për dy nga të pandehurit kryesorë të dosjes “Metamorfoza”, biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe ish-zyrtarin e Policisë së Shtetit, Ardit Hasanbegaj.

Reklame

Sipas vendimit të GJKKO-së, Pëllumb Gjoka u shpall fajtor për disa vepra penale, mes të cilave “sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” ndaj shtetasve Kleanthi Musabelliu, Dorjan Duli dhe Ibrahim Lici, si dhe për “korrupsion aktiv të funksionarëve të drejtësisë” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Gjykata e dënoi fillimisht Gjokën me 9 vite burgim. Për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi u ul në 6 vite burg, të cilat do të vuahen në një institucion të sigurisë së lartë.

Ndërkohë, biznesmeni u deklarua i pafajshëm për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve”.

Vendim dënues u dha edhe për ish-shefin e policisë, Ardit Hasanbegaj, i cili u shpall fajtor për sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve të Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Për këto akuza, GJKKO vendosi dënimin e Hasanbegajt me 7 vite e 6 muaj burgim. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, masa përfundimtare u reduktua në 5 vite burg të sigurisë së lartë.

Si masë plotësuese, gjykata vendosi t’i heqë Ardit Hasanbegajt të drejtën për të ushtruar funksione publike pas përfundimit të dënimit.

Dosja “Metamorfoza” konsiderohet një nga hetimet më të rëndësishme të SPAK, pasi lidhet me dyshime për veprimtari të grupeve kriminale, korrupsion dhe implikimin e zyrtarëve në veprimtari të paligjshme.

Reklame