TIRANË – Ka nisur këtë mbrëmje protesta e 18-të radhazi para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur duke përsëritur thirrjen kryesore të këtyre tubimeve: “Rama jep dorëheqjen”. Protestuesit janë pozicionuar përpara selisë së qeverisë, ndërsa në tubim dëgjohen parulla kundër qeverisë dhe kërkesa për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Protestat, të cilat kanë vijuar çdo ditë gjatë javëve të fundit, fillimisht u organizuan kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, por me kalimin e ditëve janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë. Në tubimet e fundit janë dëgjuar vazhdimisht thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshim politik në vend.
Një ditë më parë, në protestën e 17-të, organizatorët ua lanë fjalën kryesisht të rinjve dhe studentëve, të cilët deklaruan se do të vijojnë mobilizimin deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Po ashtu, protestuesit kanë bërë të ditur se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga aksioni qytetar.
Tubimi i sotëm po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa pritet që protestuesit të mbajnë fjalime dhe të parashtrojnë sërish kërkesat e tyre përpara godinës së Kryeministrisë.















