Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku është paralajmëruar një protestë kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e Zvërnecit.

Qytetarët, të pajisur me flamuj dhe pankarta, janë mbledhur në qendër të kryeqytetit për të vijuar më pas marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të artikulojnë kërkesat e tyre kundër projektit që, sipas tyre, cenon interesin publik dhe mjedisin e zonës bregdetare.

Reklame

Organizatorët e protestës e kanë cilësuar tubimin si një reagim paqësor qytetar, duke ftuar në pjesëmarrje të gjithë ata që ndihen të pakënaqur me politikat aktuale dhe që, sipas tyre, janë “braktisur nga partitë kryesore”.

“Reagim paqësor. Mirëpresim të gjithë ata që janë braktisur nga PS dhe PD”, është dëgjuar të thuhet nga disa prej pjesëmarrësve gjatë grumbullimit në shesh.

Protesta pritet të vijojë me marshim drejt Kryeministrisë, ku organizatorët kanë paralajmëruar mbajtjen e fjalimeve dhe paraqitjen e kërkesave të tyre ndaj qeverisë.

Autoritetet nuk kanë raportuar deri më tani incidente, ndërsa Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa për garantimin e rendit publik dhe shmangien e çdo përshkallëzimi të situatës.

Reklame