Një aksident është regjistruar pranë zonës turistike të Syri i Kaltër, në territorin e Bashkisë Finiq, ku dy qytetarë kanë rënë me motor në një humnerë në anë të rrugës.
Sipas informacioneve paraprake, njëri prej të lënduarve është shtetas i huaj. Të dy personat kanë rënë rreth 15 metra poshtë rrugës, ndërsa menjëherë është organizuar një operacion shpëtimi për nxjerrjen e tyre nga terreni i vështirë.
Në operacion morën pjesë strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Policia e Shtetit si dhe ekipet e Urgjencës Mjekësore.
Fatmirësisht, të dy të aksidentuarit kanë pësuar vetëm lëndime të lehta. Pas marrjes së ndihmës së parë në vendngjarje, ata u transportuan drejt spitalit të Sarandë për ekzaminime dhe trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Autoritetet po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.














