Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në aksin rrugor Rrëshen–Reps, ku një shtetase nga Kosova ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet.

Sipas informacioneve paraprake, viktima sapo kishte zbritur nga një autobus dhe kishte tentuar të kalonte në anën tjetër të autostradës. Në ato momente ajo është goditur nga një automjet që po lëvizte në këtë segment rrugor, duke pësuar dëmtime të rënda.

Reklame

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve emergjente, gruaja nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Policia ka mbërritur menjëherë në zonë dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa po kryhen veprimet procedurale për identifikimin e plotë të viktimës dhe dokumentimin e ngjarjes.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje te kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve që ndodheshin në zonë, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë e këtij aksidenti fatal.

Reklame