Avokatët mbrojtës të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kanë dalë në një konferencë për mediat, ku kanë ngritur akuza të forta ndaj procesit penal që po zhvillohet ndaj klientit të tyre, duke e cilësuar atë si një rast flagrant shkeljeje të ligjit dhe të të drejtave themelore të njeriut.
Avokatët Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima deklaruan se Meta ndodhet në kushte paraburgimi që kanë tejkaluar çdo standard ligjor dhe human, ndërsa procesi gjyqësor, sipas tyre, ka mbetur i bllokuar pa arsye ligjore.
Gjatë fjalës së tij, avokati Kujtim Cakrani theksoi se hetimet ndaj Ilir Metës kanë përfunduar më 4 gusht 2025, por prej asaj date çështja ka mbetur në fazën e seancës paraprake, pa asnjë zhvillim konkret.
Sipas tij, kanë kaluar më shumë se 4 muaj e gjysmë pa nisur seanca paraprake, çka përbën një shkelje të rëndë procedurale.“Zoti Meta nuk ka mundësi të komunikojë me qytetarët apo bashkëpunëtorët e tij. Hetimet kanë përfunduar, por procesi ka mbetur i bllokuar. Kjo e ka kthyer drejtësinë në drejtësi inkuizitore”, deklaroi Cakrani.
Një tjetër deklaratë e fortë e avokatit Cakrani ishte ajo lidhur me gjyqtaren Irena Gjoka, për të cilën ai pretendoi se ndodhet nën presion dhe shantazh.“Gjyqtarja Irena Gjoka është në një hall të madh, sepse është e kapur dhe e shantazhuar. Megjithatë, ne do të vazhdojmë betejën ligjore”, u shpreh ai.
Mbrojtja bëri me dije se ka paraqitur kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurisë, por kjo kërkesë nuk është pranuar nga gjykata.
Sipas avokatëve, mbajtja e Ilir Metës në paraburgim përbën një cenim të drejtpërdrejtë të të drejtave dhe lirive themelore, duke paralajmëruar pasoja serioze për shtetin e së drejtës.“Kur drejtësia sillet kështu me një figurë politike me 34 vite histori, imagjinoni çfarë ndodh me qytetarët e zakonshëm”, u shpreh Cakrani.
Gjatë konferencës, avokatët prezantuan edhe një analizë financiare të Ilir Metës nga viti 1995 deri në 2023, duke pretenduar se pasuria e tij është zero, si në pasuri të luajtshme ashtu edhe të paluajtshme.
Sipas mbrojtjes, ndaj Metës është hedhur “një mal me akuza”, të cilat nuk mbështeten në fakte.
“Balta që është hedhur mbi Metën lidhet me pasurinë. Por pasuria e tij është zero. Ai ka punuar me dinjitet dhe pastërti”, tha avokati Cakrani.
Avokatët theksuan se nuk kërkojnë privilegje, por minimumin e standardeve të shtetit të së drejtës, duke paralajmëruar se do të vijojnë betejën ligjore në çdo shkallë.
Çështja mbetet në pritje të zhvillimeve të reja gjyqësore.















