Protesta e qytetarëve kundër qeverisë ka hyrë në ditën e 15-të, ndërsa këtë të diel mijëra persona janë mbledhur sërish para godinës së Kryeministrisë në Tiranë.
Protestuesit janë grumbulluar në shesh duke shprehur pakënaqësitë e tyre për situatën ekonomike, koston e jetesës dhe politikat e ndjekura nga qeveria. Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për ndryshime politike.
Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke theksuar se mobilizimi qytetar po rritet nga dita në ditë. Ndërkohë, forca të shumta policie janë vendosur në perimetrin e Kryeministrisë për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit dhe sigurinë publike.
Deri më tani nuk raportohen incidente serioze, ndërsa protesta po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie.















