Qytetarë nga Tirana dhe zona të tjera të vendit janë mbledhur këtë të shtunë para godinës së Kryeministrisë në kuadër të protestës së 14-të radhazi kundër qeverisë.
Me pankarta dhe thirrje kundër ekzekutivit, protestuesit kanë kërkuar largimin e qeverisë, duke e akuzuar atë për korrupsion, varfëri dhe mungesë të përgjegjshmërisë ndaj problemeve të qytetarëve.
Tubimi ka nisur në orët e pasdites, ndërsa pjesëmarrësit kanë deklaruar se protestat do të vijojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre. Në shesh janë dëgjuar thirrje për ndryshim politik, drejtësi dhe zgjedhje të lira.
Forca të shumta policie janë vendosur në perimetrin e Kryeministrisë për të garantuar mbarëvajtjen e protestës dhe për të shmangur incidente të mundshme.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive dhe kanë theksuar se lëvizja qytetare do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke e konsideruar protestën si një reagim ndaj situatës politike dhe ekonomike në vend.















