Sektori i transportit publik në vend po përballet me një krizë të thellë financiare, e nxitur kryesisht nga rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës. Operatorët paralajmërojnë se situata është bërë e papërballueshme dhe do të reflektohet drejtpërdrejt te qytetarët.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban bëjnë me dije se, pavarësisht kërkesave të përsëritura për ndërhyrje dhe një takimi me institucionet më 1 prill, nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete për të përballuar rritjen e kostove.
Sipas tyre, mungon një skemë kompensimi për çmimin e naftës, që është edhe zëri kryesor i shpenzimeve për operatorët. Ndërkohë, nuk ka asnjë plan për uljen e barrës fiskale, përfshirë akcizën, taksën e qarkullimit dhe TVSH-në, të cilat rëndojnë më tej situatën.
Operatorët theksojnë se rritja e çmimit të karburantit ka goditur drejtpërdrejt aktivitetin e tyre, duke e bërë të pamundur mbajtjen e të njëjtit nivel shërbimi pa mbështetje shtetërore.
Për këtë arsye, duke nisur nga nesër, do të ketë një reduktim me 40% të mjeteve në qarkullim. Kjo do të thotë më pak autobusë në linja dhe pritje më të gjata për qytetarët.
Operatorët u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre, ndërsa kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për të shmangur kolapsin e sektorit të transportit publik.















