Zbardhen detaje të reja tronditëse nga hetimet për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, për të cilin autoritetet tashmë dyshojnë se mund të jetë vrarë dhe më pas groposur.
Në qendër të hetimeve ndodhet Armand Shakaj, i cili konsiderohet autori kryesor i dyshuar i ngjarjes. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se në automjetin tip Porsche të sekuestruar nga policia janë gjetur vegla pune, mes tyre edhe lopata me mbetje balte.
Sipas hetuesve, ky detaj ka përforcuar ndjeshëm pistën se trupi i Eglant Koçit mund të jetë fshehur në një zonë të izoluar, ku autorët kanë tentuar të zhdukin çdo gjurmë të krimit.
Kërkimet për gjetjen e trupit vijojnë intensivisht në disa zona të Tiranës dhe Elbasanit. Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, deklaroi se operacioni është shtrirë kryesisht në terrene malore, ndërsa në ndihmë të autoriteteve shqiptare janë angazhuar edhe forca nga Kosova me qen kërkimi.
Ndërkohë, policia po punon paralelisht edhe për lokalizimin dhe arrestimin e Armand Shakajt, i cili prej ditësh është zhdukur pa lënë gjurmë.
Sipas informacioneve të siguruara nga hetuesit, trupi i 34-vjeçarit dyshohet se ka qëndruar për më shumë se 24 orë në automjetin e Shakajt. Më pas, me pretendimin se makina kishte pësuar defekt, ai dyshohet se ka përdorur një karrotrec për ta transportuar mjetin deri në zonën e Ibës, një territor ku mungojnë kamerat e sigurisë.
Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me një konflikt për aktivitete të paligjshme me kriptovaluta dhe mosshlyerjen e një shume të konsiderueshme parash. Burime nga grupi hetimor dyshojnë se Shakaj merrej me dhënie parash me fajde dhe se, përmes ndërmjetësimit të Eglant Koçit, një shumë e madhe parash mund t’u ishte dhënë personave të tretë.
Moskthimi i këtyre parave dyshohet të ketë sjellë përplasjen mes dy miqve të ngushtë, konflikt që sipas hetuesve mund të ketë përfunduar në mënyrën më tragjike.














