Ka nisur organizimi i qytetarëve në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku prej 11 ditësh po zhvillohen protesta me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit deklarojnë se kërkojnë krijimin e një qeverie teknike, të përbërë nga figura intelektuale dhe të pavarura, ndërsa theksojnë se nuk do të tërhiqen deri në largimin e kreut të qeverisë.
Në shesh dëgjohen thirrje si “Revolucion”, “Shqipëri e Re” dhe “Edi Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë ndryshim politik dhe përgjegjësi për klasën drejtuese.
Sipas organizatorëve, protesta ka marrë mbështetje edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Tubime solidarizuese janë zhvilluar në disa shtete të tjera, duke iu bashkuar simbolikisht protestës që nisi në Tiranë.
Atmosfera në qendër të kryeqytetit mbetet e tensionuar, por deri tani pa raportime për incidente serioze. Forca të policisë janë vendosur në zonë për të monitoruar zhvillimin e protestës dhe për të garantuar rendin publik.
Protestuesit paralajmërojnë se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.















