Një operacion i Policisë së Tiranës ka çuar në goditjen e një tentative për trafikimin e pjesëve të armëve të zjarrit që dyshohet se vinin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë përmes shërbimeve postare.
Në kuadër të operacionit të koduar “Delivery”, uniformat blu arrestuan në flagrancë 32-vjeçarin Eni Hoxha, i cili u kap në momentin kur po merrte një pako në një degë postare në rrugën “Asim Vokshi” në Tiranë.
Sipas policisë, aksioni u zhvillua pas informacioneve dhe hetimeve që sinjalizonin për një rast të mundshëm trafikimi të pjesëve të armëve përmes postës ndërkombëtare.
Gjatë kontrollit të pakos, efektivët sekuestruan një tytë arme, një silenciator, dy krehra dhe pjesë të tjera që dyshohet se i përkasin armëve të zjarrit. Gjithashtu, si prova materiale u sekuestruan edhe dy telefona celularë.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, komponentët e armëve dyshohet se janë dërguar nga SHBA drejt Shqipërisë nëpërmjet shërbimit postar.
Policia bën me dije se hetimet janë në vijim për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë penale persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.















