Kryeministri Edi Rama ka rikthyer në vëmendje debatin për investimin turistik në Zvërnec, duke sjellë si shembull modelin e zhvillimit të zonës së mbrojtur të Ria Formosa në Portugali.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë e përshkroi Ria Formosa-n si një nga lagunat më të rëndësishme të Europës, e njohur për biodiversitetin e pasur, flamingot, shpendët migratorë dhe peizazhin unik natyror.

Reklame

Rama theksoi se rajoni i Algarve, i cili dikur mbështetej kryesisht te bujqësia dhe peshkimi, u transformua përmes investimeve në turizëm me vlerë të lartë, duke shmangur modelin e turizmit masiv.

Sipas tij, zhvillimi i zonave turistike pranë këtij ekosistemi nuk erdhi në dëm të natyrës, por përkundrazi e ktheu atë në një aset ekonomik që gjeneron të ardhura dhe punësim.

Kryeministri renditi si rezultate të këtij modeli miliarda euro investime private, mijëra vende pune, rritje të vlerës së pronave dhe një sezon turistik që zgjatet gjatë gjithë vitit.

“Natyra dhe zhvillimi nuk janë domosdoshmërisht në konflikt me njëra-tjetrën, nëse ekzistojnë vizioni, planifikimi dhe vullneti për t’i bërë të bashkëjetojnë”, argumenton Rama në reagimin e tij.

Duke iu referuar potencialit të Shqipërisë në turizëm, ai shprehet se pasuria krijohet kur natyra bëhet pjesë e zhvillimit dhe zhvillimi shndërrohet në aleatin e saj.

Në përfundim të mesazhit, Rama deklaron se Shqipëria synon të hyjë në “ligën e kampionëve të turizmit botëror” dhe të vlerësohet ndërkombëtarisht si një destinacion me potencial të jashtëzakonshëm natyror dhe turistik.

Reklame