Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita mbështet investimet e huaja në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht te projekti turistik i planifikuar në Sazan dhe Zvërnec, i cili prej ditësh ka nxitur debate dhe protesta publike.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se çështja e Zvërnecit është shndërruar në një debat kombëtar dhe ndërkombëtar, ndaj e konsideroi të nevojshme sqarimin e qëndrimit të demokratëve.

Reklame

Sipas tij, që në momentin kur u bë publik interesi i kompanisë Affinity Partners, e lidhur me Jared Kushner, për të investuar në Sazan dhe Zvërnec, ai e kishte mbështetur projektin për shkak të potencialit financiar dhe ndikimit ekonomik që mund të sillte për vendin.

“Ne mbështesim investimin e huaj”, deklaroi Berisha, duke theksuar se interesi kombëtar dhe zhvillimi ekonomik duhet të prevalojnë.

Kreu i PD-së bëri dallim mes ishullit të Sazanit dhe zonës së Zvërnecit. Sipas tij, Sazani është pronë publike dhe prej vitesh është ofruar për investime strategjike nga qeveri të ndryshme, ndërsa Zvërneci përbëhet kryesisht nga prona private.

Berisha argumentoi se investimi në Sazan nuk përbën rrezik për mjedisin dhe pasuritë natyrore të ishullit.

“Asgjë nuk prishet aty. Pasuria më e madhe e Sazanit është bimësia e tij e veçantë, e cila duhet dhe do të ruhet”, u shpreh ai.

Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kur protestat kundër projektit në Zvërnec kanë vijuar në Tiranë dhe Vlorë, ndërsa aktivistë dhe organizata mjedisore kërkojnë ndalimin e investimit, duke argumentuar se ai cenon një zonë të mbrojtur me rëndësi të veçantë ekologjike.

Me këtë qëndrim, Partia Demokratike është rreshtuar në mbështetje të investimit, duke e konsideruar atë një mundësi zhvillimi ekonomik dhe turistik për vendin.

Reklame